Rektori i Universitetit Hëna e Plotë BEDËR, Dr. Ferdinand Gjana mori pjesë si referues në Konferencën Akademike të zhvilluar në Stamboll në kuadër të Samitit për 20 vjetorin e Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi (BSEC) .
Gjatë fjalës së mbajtur në konferencë, Dr. Gjana paraqiti perspektivën e Shqipërisë në lidhje me BSEC dhe u ndal në disa propozime për të ardhmen e kësaj organizate. Sipas tij duke u nisur nga fakti se një pjesë e vendeve janë anëtare të dy organizatave, BSEC dhe BE, ose në proces anëtarësimi, një rëndësi e veçantë duhet t'i jepet zhvillimit të marrëdhënieve të BSEC-së me BE-në. “E ardhmja në BE e rajonit tonë, si një angazhim strategjik i zgjedhur nga shumica e vendeve në rajon, kalon përmes bashkëpunimit rajonal. Në këtë kontekst, një BSEC e mirë organizuar mund të jetë një lehtësues për integrimin e rajonit në strukturat e BE-së dhe NATO-s. Kjo mund të arrihet vetëm nëpërmjet një bashkëpunim multi-dimensional midis vendeve anëtare, duke tejkaluar konfliktet dypalëshe” theksoi Dr. Gjana.
Në samitin e Stambollit morën pjesë krerë shtetesh, kryeministra të vendeve anëtare, dhe përfaqësues nga bota akademike dhe ajo e biznesit. I pranishëm në samit ishte dhe Kryeministri i Shqipërisë, Shtz. Sali Berisha. Pas ceremoninë së hapjes që u zhvillua më datë 26 qershor, Presidenti i Republikës së Turqisë Shtz. Abdullah Gul organizoi një darkë për të ftuarit.