Bedër mbledh sëbashku studiues dhe akademikë nga 13 vende të ndryshme të botës
20 Nëntor 2015
Departamenti i Gjuhës dhe Letërsisë Angleze në Universitetin Bedër, në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Tiranë dhe International BURCH University në Sarajevë, organizuan konferencën e parë ndërkombëtare në gjuhë dhe letërsi angleze.
Kjo konferencë ndërdisiplinore e cila mblodhi sëbashku akademikë, studiues, si dhe studentë të nivele të ndryshme, synon të krijojë një ambient komod për shkëmbimin e eksperiencave dhe punëve kërkimore si dhe për të diskutuar zgjidhjet e mundshme në këtë fushë.
Në këtë edicion të parë, konferenca numëron rreth 40 referues të ardhur nga 13 vende të ndryshme të botës, si: SHBA, Angli, Gjermani, Rumani, Turqi, Indi, Iran, Nigeri, Hungari, Ukrainë, Poloni, Bosnje-Hercegovinë, Egjipt dhe sigurisht nga Shqipëria duke marrë kështu një karakter tërësisht ndërkombëtar.
Si folës kryesorë në konferencë ishin të ftuar: 1- Prof. Stephen Tapscott, Massachusetts Institute of Technology, SHBA. 2- PD.Dr. Miriam Wallraven, Eberhard Karls Universitat Tubingen Gjermani 3- Prof. Dr. Adina Ciugureanu, Universiteti Ovidius, Rumani.
Kryetari i konferencës Dr. Mahmut Terci, në fjalën e tij përshëndetëse, pasi falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre në këtë aktivitet, u shpreh i entuziazmuar për faktin se tashmë gjuha dhe letërsia angleze e kthyer në objekt studimi në të tilla platforma krijon hapësira për zhvillimin e mëtejshëm në këtë fushë.
“Cdokush nga ne është i veçantë në llojin e tij duke fshehur një thesar në vetvete, le të jetë kjo konferencë një mundësi për të pasuruar sa më shumë nga këto thesare.”- përfundoi ai.
Ndërsa Rektori i Universitetit Bedër Prof. Dr. Ferdinand Gjana, në fjalën e tij theksoi se institucioni që ai drejton, me organizimin e vazhdueshëm të të tilla aktiviteteve e ka vërtetuar se zgjerimi i traditës shkencore është pjesë e pandashme e misionit të këtij universiteti.
“Shpresoj që kjo konferencë të jetë po aq e suksesshme sa çdo konferencë e zhvilluar deri më sot nga ky institucion njëkohësisht i’u uroj qëndrim sa më të këndshëm në Tiranë të gjithë pjesmarrësve që kanë ardhur nga jashtë”- përfundoi fjalën e tij Z. Gjana.
Ndër temat e trajtuara deri më tani nga referuesit përmendim: “Efekti i kulturës angleze në procesin e mësimdhënies”, “Kritika psikoanalitike si metodë në interpretimin e gjuhës”, “Si ti përdorim modelet e historive të shkurtra në praktikën pedagogjike?”, “Kuptimet ideologjikë të gjuhës”, “Martesa dhe Divorci në shoqërinë Shqiptare ndër vite” etj.
Konferenca do të vijojë punimet e saj nga data 20 deri në 21 nëntor 2015.