Praktikat studentore, studentët e Universitetit BEDËR pranë kompanive më të njohura, brenda dhe jashtë vendit.

Studentë të departamenteve të ndryshme në Universitetin Hëna e Plotë -BEDËR, pas përfundimit të vitit akademik kanë filluar praktikat në kompanitë më të njohura, brenda dhe jashtë vendit. Kështu në bazë të marrëveshjeve të arritura më parë mes universitetit dhe grupit mediatik, World Group në Gjermani, studentja Jola Llozhi filloi programin e praktikës pranë institucioneve mediatike të këtij grupi. Gjithashtu qëndrimi pranë televizioneve apo mediave të ndryshme në këtë vend do të bëjë që studentja Llozhi të marrë një eksperiencë shumë të vyer për karrierën e saj të ardhshme në fushën e gazetarisë dhe marrëdhënieve me publikun. 

 
Ndërkohë që një grup tjetër prej 8 studentësh nga Departamenti i Shkencave të Komunikimit dhe Drejtësisë (Osman Stafa, Erzen Carja, Gentjana Kuqja, Ermira Shkreta, Anisa Kolgjini, Ardjol Hoxha, Altin Tufa, Xhensila Gjaçi) ndodhen në  Stamboll të Turqisë, ku po vazhdojnë praktikat e tyre pranë gazetës më të madhe turke “Zaman”, Televizionit “ “Samanyolu”, Agjencisë së Lajmeve “Cihan”, Agjencisë Shtetërore “Anadollu Ajans”,  kanalit televiziv “Kanal Turk” , studio të ndryshme avokatie dhe qendra kërkimore në fushën e të drejtave të njeriut.
 
Ndërsa studentë të tjerë janë duke kryer praktikat vjetore pranë  Bankës Kombëtare Tregtare, Albtelecom dhe Eagle Mobile, kryesisht në departamentet e marrëdhënieve me publikun, reklamës dhe departamentet ligjore të këtyre kompanive.
 
Programi do të zgjasë rreth një muaj dhe do t’u shërbejë studentëve për të parë nga afër mënyrën e aplikimit të dijeve teorike. Zgjerimi i listës së institucioneve publike dhe private, brenda dhe jashtë Shqipërisë, me të cilat janë vendosur urat e bashkëpunimit ka bërë që studentëve të Universitetit Hëna e Plotë -BEDËR t’u ofrohen mundësi të shumta për të zhvilluar aftësitë e tyre praktike dhe përfituar eksperiencën e nevojshme për të ardhmen.