Bedër diplomon brezin e 9-të të studentëve

Kolegji Universitar Bedër diplomoi mbrëmë brezin e nëntë të studentëve në 8 programe studimi bachelor dhe 10 programe master. 247 studentë mbyllën me sukses rrugëtimin akademik dhe tashmë janë të gatshëm që dijet e fituara në këto vite t’i vënë në shërbim të vendit dhe shoqërisë.

Të pranishëm në ceremoni ishin prindër, familjarë, drejtues të institucioneve të ndryshme, të ftuar, pedagogë dhe anëtarë të tjerë të Kolegjit Universitar Bedër, etj. Fjalën e hapjes e mbajti Rektori i “Bedër”, Prof. Dr. Gjergj Sinani, i cili uroi studentët dhe shprehu bindjen se ata do të jenë një vlerë e shtuar për të gjithë. Ai falenderoi dhe stafin për punën e kryer me aq përkushtim në këto vite, duke mundësuar diplomimin e studentëve.

I ftuar nderi në ceremoni ishte Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, i cili vlerësoi rezultatet e arritura nga Kolegji Univeristar Bedër. Në fjalën përshëndetëse Krytari i KMSH-së i bëri thirrje të drejtëpërdrejtë të rinjve të sapodiplomuar që të mos e braktisin vendin e tyre, por kontributin ta japin për zhvillimin e tij.

Më pas ceremonia vazhdoi me përshëndetjet e dekanëve, të Fakultetit të Shkencave Humane dhe Drejtësisë, Prof. Asoc. Dr. Rahim Ombashi dhe të Fakultetit të Teknologjisë dhe Biznesit, Prof. Asoc. Dr. Tidita Abdurrahmani.

Certifikatat për studentët e ekselencës u shpërndanë nga Prefekti i Qarkut të Tiranës, z. Afrim Qëndro. Ndërkohë që në emër të studentëve fjalimet u mbajtën nga studentet: Anisa Teta, Marsilda Tashi dhe Melsena Danglli.

Të ndarë sipas dapartamenteve, studentët u ngjitën në skenë për të marrë diplomat dhe ceremonia u mbyll me hedhjen tradicionale të kapeles.

Kolegji Universitar Bedër i uron suksese të mëtejshme studentëve brezit të nëntë të diplomuarve!