“Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”

Kolegji Universitar Bedër në Bashkëpunim me Institutin Shqiptar të Medias organizuan trajnimin e radhës në kuadër të projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm”, ku pjesëmarrës ishin dhe pedagogët e Departamentit të Edukimit dhe Gjuhës Angleze.


E ftuar në këtë trajnim ishte Carolyn Jones, specialiste e programit Fulbright, e një karrierë të gjatë në gazetari dhe përvojë në edukimin mediatik, solli përvojën amerikane në fushën e edukimit për median dhe informacionin dhe zhvilloi një seancë trajnimi dhe bashkëbisedimi me pedagogët pjesëmarrës për mënyrat më të mira për të përfshirë studentët dhe të rinjtë në drejtim të edukimit mediatik.

Gjatë trajnimit Carolyn Jones u ndal te sfidat kryesore në lidhje me dezinformimin në peizazhin mediatik në SHBA, duke prekur tema të tilla si dobësimi i besimit te mediat tradicionale, forcimi i teorive të konspiracionit dhe i personazheve që i përhapin ato në debatin publik, si dhe konteksti i zhvillimeve politike dhe si kanë ndikuar ato në besimin që ka publiku te media.

Gjatë trajnimit vëmendje e veçantë iu kushtua edukimit për median dhe informacionin si një nga mënyrat më të mira për të rritur imunizimin e publikut ndaj çrregullimeve informative. Duke sjellë shembuj të ushtrimeve dhe qasjeve konkrete me studentët në shkolla në lidhje me këtë temë, trajnerja ilustroi disa metoda që mund të përdoren në mënyrë që studentët të hyjnë në brendësi të gjithë zinxhirit të prodhimit të lajmeve, një njohuri që me sa duket është gjithnjë e më e rrezikuar.

Trajnimi u mbyll me një diskutim me pedagogët për sfidat e arsimit në vend, por edhe në kontekstin global, sidomos në kuadrin e ndryshimeve teknologjike dhe prirjeve të çrregullimeve informative.

Ky trajnim është pjesë e projektit “Edukimi për Median dhe Informacionin për Mësuesit e Ardhshëm,” të zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen financiare të Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Shqipëri.