E ftuar në një takim të hapur me studentët e Kolegjit Universitar Bedër ishte znj. Arta Dade, e cila bisedoi me ta lidhur me aktualitetin politik në vend, zgjedhjen e Presidentit të Republikës, perspektivat e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Europian, etj.
Arta Dade është një nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare në periudhën e tranzicionit, e cila u angazhua në politikë aktive në një kohë kur gratë në këtë sferë ishin të pakta. E para grua që mbajti postin e ministres së Jashtme, ish-ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, deputete e Kuvendit të Shqipërisë për pesë legjislatura radhazi. Ndër të tjera, znj. Dade ka shërbyer për shumë vite si Kryetare e Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.
Ajo tregoi rrugëtimin e saj në politikë, duke i inkurajuar studentët që si të rinj të bëhen pjesë aktive e shoqerisë për të marrë në dorë fatet e vendit. Në diskutim ajo shprehu bindjen e saj se partitë politike shqiptare kanë humbur nga identiteti i tyre, duke mos mbështetur politikat e krahëve që përfaqësojnë, qofshin të majta apo të djathta.
Znj. Dade foli dhe për zgjedhjen e Presidentit të ri. “Kam qenë mbështetëse për një grua, por jo që patjetër në detyrën e Presidentit të jetë grua. Pavarësisht në është burrë apo grua, e rëndësishme është të luajë rolin që i takon e Presidentit”, tha ajo. Nga ana e tyre studentët patën mundësinë e pyetjeve, duke ndezur edhe debate për temat më të “nxehta” politike në vend.